Kushtet e përdorimit
Përditësuar: 10 nëntor 2026 · Versioni 2026-11-10
Operatori
MOS VONO, NIPT M61927501N, Adem Jashari, Lagjja 17, Durrës, Shqipëri. Kontakt: support@mosvono.al dhe +355 68 499 4900.
Roli i platformës
MOS VONO është një treg online që lidh klientët me realizues të pavarur. Realizuesi nuk është punonjës i MOS VONO dhe përgjigjet për aftësitë, licencat, sigurimin profesional kur kërkohet, faturimin dhe detyrimet e veta tatimore. MOS VONO u shërben vetëm personave fizikë që porosisin punë për nevojat e tyre vetjake. Tarifa e lidhjes nuk mund të paguhet në emër të një biznesi ose të një personi me NIPT, sepse MOS VONO nuk lëshon ende fatura elektronike mes bizneseve.
Detyrat dhe ofertat
Klienti duhet të publikojë një kërkesë të saktë dhe të ligjshme. Realizuesi duhet të bëjë ofertë vetëm kur mund ta kryejë punën. Fusha, çmimi dhe koha e punës miratohen para pranimit.
Komunikimi para pranimit dhe anashkalimi i platformës
Deri në pranimin e një oferte, komunikimi zhvillohet vetëm brenda platformës: task-et publike, ofertat, pyetjet dhe profilet nuk përdoren për të shkëmbyer numra telefoni, adresa emaili apo kanale të jashtme kontakti, dhe platforma mund t'i refuzojë automatikisht tekste të tilla. Marrja e kontaktit të palës tjetër nga një task i publikuar për ta mbyllur punën jashtë platformës anashkalon tarifën e lidhjes dhe shërbimin që ajo paguan; në raste të përsëritura MOS VONO mund të kufizojë ose të mbyllë llogaritë e përfshira. Pas pranimit dhe pagesës së tarifës së lidhjes, palët janë të lira të shkëmbejnë kontakte — lidhja është pikërisht ajo që u pagua.
Pagesa e drejtpërdrejtë dhe tarifa e lidhjes
Klienti ia paguan çmimin e punës drejtpërdrejt realizuesit — me para në dorë, me transfertë bankare ose me një mënyrë tjetër për të cilën bien dakord. MOS VONO nuk e merr, nuk e mban dhe nuk ia transferon realizuesit këtë pagesë, dhe nuk i mban realizuesit asnjë komision. Në pranimin e një oferte klienti i paguan MOS VONO-s vetëm tarifën e lidhjes: aktualisht 10% e çmimit të rënë dakord, me minimum 150 lekë; kur i njëjti klient rezervon sërish të njëjtin realizues, aktualisht 5%, me të njëjtin minimum. Kjo tarifë është çmimi i vetë ndërlidhjes — shërbimi që platforma e ka kryer në çastin që palët lidhen. Tarifa paguhet përmes POK-ut dhe shfaqet para pagesës veçmas nga çmimi i punës. Realizuesi njoftohet dhe biseda e task-ut hapet vetëm pasi ofruesi i pagesës e konfirmon tarifën; një tarifë që nuk paguhet brenda afatit të platformës e kthen pranimin mbrapsht. MOS VONO nuk e konsideron tarifën të paguar vetëm nga një pamje ekrani ose njoftim i klientit.
Pagesa e tarifës
MOS VONO nuk ruan të dhëna karte dhe nuk tërheq asnjëherë para automatikisht nga karta ose llogaria e klientit. Çdo tarifë lidhjeje paguhet veçmas, kur klienti pranon një ofertë, në faqen e sigurt të pagesës së ofruesit të pagesave të MOS VONO-s (POK), ku klienti e konfirmon vetë pagesën, edhe me autentifikimin 3-D Secure kur e kërkon banka e tij. Edhe për rezervimet e përsëritura, çdo vizitë krijohet si detyrë e re dhe tarifa e saj paguhet në të njëjtën mënyrë, kur klienti pranon ofertën për atë vizitë, dhe vizita nuk konfirmohet pa këtë pagesë. Nëse në të ardhmen MOS VONO ofron ruajtjen e një karte, do t'ia kërkojë klientit veçmas, me pëlqimin e tij të shprehur, dhe do ta njoftojë paraprakisht për ndryshimin e këtyre kushteve.
Pagesa e punës te realizuesi
Kur realizuesi ka ruajtur në platformë një llogari bankare të verifikuar, klienti i task-ut e sheh IBAN-in dhe emrin e mbajtësit të llogarisë vetëm pasi ka paguar tarifën e lidhjes; përndryshe palët merren vesh vetë për mënyrën e pagesës. Realizuesi mund të shënojë në platformë që pagesa e punës u mor; ky shënim vetëm regjistrohet dhe nuk e ndal mbylljen e punës. Pagesa e punës nuk kalon përmes MOS VONO-s, ndaj platforma nuk bën transfertë dhe nuk i mban asgjë realizuesit.
Anulimet dhe rimbursimet
Anulimi para fillimit shqyrtohet sipas arsyes së strukturuar që zgjidhet në kërkesë. Meqë MOS VONO nuk e mban çmimin e punës, rimbursimi në platformë ka të bëjë vetëm me tarifën e lidhjes. Kur anulimi është me faj të klientit, MOS VONO e mban tarifën e lidhjes. Kur anulimi është me faj të realizuesit, ose kur askush nuk ka faj, tarifa i kthehet klientit e plotë; realizuesi nuk i paguan asgjë platformës, por anulimi me faj të tij i shënohet në llogari. Kur anulimi bëhet brenda dritares së lirë të shpallur në aplikacion, nuk mbahet asnjë tarifë. Një tarifë e paguar pasi pranimi ka skaduar i kthehet gjithashtu klientit. Kthimin e tarifës e kryen MOS VONO me dorë, përmes POK-ut, dhe klienti njoftohet kur kryhet; koha e shfaqjes së parave varet nga ofruesi i pagesës, banka dhe mënyra e pagesës. Çdo kthim i çmimit të punës bëhet mes klientit dhe realizuesit; për punë të nisur ose të përfunduar, MOS VONO shqyrton punën e kryer, komunikimin, provat dhe marrëveshjen e palëve sipas ligjit shqiptar, por nuk e kthen vetë atë pagesë.
E drejta e tërheqjes dhe fillimi i shërbimit
Duke pranuar një ofertë, klienti kërkon shprehimisht që shërbimi të nisë para se të mbarojë afati 14-ditor i tërheqjes, dhe pranon se e humbet të drejtën e tërheqjes pasi shërbimi të jetë kryer plotësisht (Ligji nr. 9902/2008 “Për mbrojtjen e konsumatorëve”). Këto deklarata konfirmohen veçmas në çastin e pranimit, dhe MOS VONO regjistron versionin e tyre dhe kohën e konfirmimit.
Chargeback dhe prova
Nëse banka e kthen tarifën e lidhjes që klienti i pagoi MOS VONO-s, MOS VONO e mëson nga njoftimi i ofruesit të pagesës (POK, ose Paysera për pagesat e nisura para 9 nëntorit 2026): administratori hap një rast dhe i përgjigjet ofruesit brenda afatit që ai cakton, dhe llogaria e klientit nuk kufizohet sa rasti është i hapur. Palëve mund t'u kërkohen mesazhe, foto, faturë, provë dorëzimi ose dokumente të tjera. Mashtrimi, dokumentet e rreme dhe fshehja e një chargeback-u mund të sjellin kufizim të llogarisë dhe kërkesë për kthim fondesh.
Dëmet gjatë shërbimit
Realizuesi përgjigjet për kujdesin profesional, dëmin që shkakton dhe sigurimin profesional kur ai kërkohet. Klienti duhet të ruajë prova dhe ta raportojë problemin menjëherë. MOS VONO mund të ndërmjetësojë komunikimin dhe të kufizojë një llogari gjatë shqyrtimit, por nuk ofron një garanci të pakushtëzuar dëmi dhe nuk zëvendëson siguruesin, gjykatën ose autoritetet.
Afati i mbështetjes
Mbështetja nuk premtohet 24/7. Kërkesat regjistrohen në platformë ose me email dhe trajtohen gjatë orarit të publikuar. Rreziku i menjëhershëm, aksidenti, zjarri, dhuna ose vepra penale duhet t'u raportohen pa vonesë shërbimeve të emergjencës dhe autoriteteve.
Dokumentet e pagesës
Për çdo tarifë lidhjeje të paguar, MOS VONO lëshon një faturë tatimore të fiskalizuar, me NIVF-në e saj, brenda afatit ligjor. Fatura i dërgohet klientit me email, në adresën e llogarisë, dhe mban shënimin “Pa TVSH”, sepse MOS VONO nuk është subjekt i TVSH-së. Duke pranuar këto kushte, klienti pranon që faturat tatimore dhe dokumentet korrigjuese t'i dërgohen me email dhe të jenë të shkarkueshme në llogarinë e tij. Klienti mund t'i kërkojë mbështetjes një kopje të saj. Për pagesën e punës, realizuesi mbetet përgjegjës për dokumentet fiskale që i kërkon ligji për shërbimin e tij.
Ndryshimi i çmimit gjatë punës
Çmimi i rënë dakord në pranim mund të ndryshojë vetëm me kërkesë të njërës palë dhe miratim të tjetrës, dhe vetëm në rritje. Kërkesa shkruan sa lekë shtesë kërkohen dhe pse; pala tjetër e miraton ose e refuzon brenda afatit të shfaqur, dhe pa përgjigje kërkesa mbyllet vetiu. Rritjet e miratuara kanë një tavan të llogaritur mbi çmimin fillestar, jo mbi çmimin e rritur më parë. Realizuesi nuk mund të kërkojë rritje pasi ka kërkuar konfirmimin e përfundimit. Diferencën e miratuar klienti ia paguan drejtpërdrejt realizuesit; rritja nuk krijon pagesë të re te MOS VONO.
Raportimi i një problemi
Secila palë mund të raportojë një problem pasi puna ka nisur, dhe deri në 14 ditë pas përfundimit. Raportimi përmban përshkrimin, provat dhe — kur ka — shumën që do ta mbyllte çështjen. Pala tjetër ka të drejtën e një përgjigjeje me provat e veta. Provat shihen vetëm nga palët dhe nga stafi i MOS VONO, kurrë publikisht. Gjatë shqyrtimit detyra ndalon; kur mbyllet, ajo kthehet aty ku ishte, ose anulohet kur tarifa e lidhjes i është kthyer klientit. MOS VONO nuk e mban pagesën e punës, ndaj shqyrtimi nuk e kthen atë: për çmimin e punës palët merren vesh mes tyre. Kur shqyrtimi tregon se lidhja nuk u realizua për faj të realizuesit, ose pa faj të askujt, MOS VONO ia kthen klientit tarifën e lidhjes dhe detyra anulohet.
Mosparaqitja
Kur detyra ka orë të caktuar dhe njëra palë nuk paraqitet, tjetra mund ta raportojë mosparaqitjen gjysmë ore pas asaj ore. Raportimi kërkon që raportuesi t'i ketë shkruar palës tjetër në bisedën e detyrës pak më parë — mesazhi është prova se u përpoq ta gjejë. Mosparaqitja hap një kërkesë anulimi me përgjegjësi te pala që nuk erdhi; ajo palë mund ta kundërshtojë brenda 24 orësh, dhe pa përgjigje kërkesa pranohet. Secila palë mund të raportojë një mosparaqitje për detyrë; nëse problemi vazhdon, rruga është raportimi i problemit.
Vlerësimet
Vlerësimi nuk publikohet menjëherë: mbahet derisa të vlerësojë edhe pala tjetër, ose deri në 14 ditë pas përfundimit. Kështu asnjëra palë nuk shkruan duke lexuar tjetrën. Pas publikimit vlerësimi nuk ndryshohet dhe nuk fshihet me kërkesë; pala e vlerësuar mund t'i përgjigjet publikisht. MOS VONO heq vetëm përmbajtje që shkel këto kushte ose ligjin.
Detyrat pa përgjigje
Një task që nuk pranon asnjë ofertë brenda afatit të shfaqur në aplikacion mbyllet vetiu dhe shënohet si i skaduar. Klienti njoftohet para afatit dhe mund ta ripostojë të njëjtin task më vonë.
Verifikimi dhe ruajtja e dokumenteve
Verifikimi i identitetit vërteton se personi është ai që thotë se është. Ai nuk është vlerësim i aftësisë, garanci cilësie, as rekomandim i MOS VONO për ndonjë realizues të caktuar. Skedari i dokumentit të identitetit ose i licencës fshihet 30 ditë pas shqyrtimit; ruhet vetëm vendimi — lloji i dokumentit, përfundimi, shqyrtuesi dhe datat — sepse pikërisht ai është arsyeja pse dokumenti u kërkua. Për licencat profesionale, mbajtja e licencës në fuqi mbetet detyrim i realizuesit.
Ankesat
Raporto problemin nga task-u ose hap një kërkesë te Mbështetja. MOS VONO shqyrton zbatimin e rregullave dhe provat, por nuk garanton cilësinë e çdo pune të pavarur dhe nuk zëvendëson të drejtat ligjore të palëve.
Ligji i zbatueshëm
Këto kushte interpretohen sipas ligjit shqiptar. Asgjë këtu nuk kufizon të drejtat detyruese të konsumatorit.